Blog

“Qiellgërvishtëset” e Shqipërisë, nga Ales Construction!

Teksa ecni në rrugët e Tiranës, me siguri herë pas here, vështrimi ju ndalon në disa ndërtesa të bukura, “gjigande” që të rrëmbejnë shikim për disa minuta të mira. E pasi i shikoni, i komentoni, e i vlerësoni, a e keni pyetur ndonjëherë veten se si ka ardhur në jetë ajo që keni përpara jush? Pas disa prej projekteve më të bukura në vendin tonë, fshihet pikërisht emri i Ales Construction.

Aktiviteti ynë filloi në vitin 1999 si një kompani e vogël ndërtimi në tregun e sapokrijuar në Shqipëri. Sfidat që na dilnin përballë, na bënë që ta donim akoma më shumë atë çfarë po krijonim. Falë pasionit për të bukurën dhe dashurisë për punën, ja dolëm që të sillnim në jetë dëshirat e gjithësecilit që na dhuronte besimin e tij. Stafi i kualifikuar dhe me përvojë, i përbërë nga arkitektë, inxhinierë ndërtimi, ekonomistë, teknikë, menaxherë marketingu dhe më shumë se 150 punëtorë dhe specialistë të aftë ndërtimi, kanë kthyer në realitet çdo projekt i cili dikur ishte vetëm një ide në mendjen e dikujt.  Le të shohim së bashku, një pjesë shumë të vogël, të qiellgërvishtësve tanë.

The Plaza

E kush nuk e njeh një prej hoteleve më prestigjoze të vendit tonë? “Tha Plazza” është cilësuar si kulla e parë më e lartë në Kryeqytet me 4 kate nëntokë dhe 24 kate të sipërme.  Me stilin dhe veçantinë e saj, kjo kullë shënoi një arritje jo vetëm për Shqipërinë por edhe më gjerë. Madhështia e saj qëndron edhe në pamjet panoramike që ofron. Secili vizitor ka mundësinë të shijojë një pamje të plotë të Tiranës.

4Ever Green Tower

E dini që Forever Green Tower është një ndër ndërtesat më të larta në Ballkan? Kjo kullë është 85 metra e gjatë dhe shërben si një ndërtesë multifunksionale. Ajo zë një sipërfaqe prej më shumë se 12,400 m² dhe ka plot 20 kate, në të cilat katër janë nëntokë.  Kulla ka gjithashtu hapësira tregtare, dyqane, 7 nivele zyrash, 8 nivele banimi dhe një hotel i cili të dhuron një peisazh panoramik të qytetit. Ndalur të dizajni, Forever Green Tower merr një hapësirë minimale publike në tokë, me një bazë të ngushtë dhe zgjerim të mëtejshëm kur rritet lartësia. Sa e veçantë, aq edhe e bukur!

Air Albania Tower

Besojmë se Air Albania Tower është një nga ato ndërtesa që nuk mund t’i shpëtojë syrit të askujt që viziton të paktën një herë Tiranën. Kulla është një element i fuqishëm identifikues i kompleksit, duke qenë pjesa më e dukshme e tij. Ngjyrat e përdorura do të ishin padyshim identifikueset e vendit tonë: e kuqja dhe e zeza, kombinim ky i cili e bën këtë kullë të duket akoma me dominante.

DownTown One Albania

Downtown One është kulla e parë në Shqipëri në llojin e saj! Bëhet fjalë për një ndërtim i cili përbëhet nga 40 kate mbi tokë dhe 5 kate parkimi nëntokë. Një ndërtesë multifunksionale e pozicionuar në zemër të Kryeqytetit. Ndërtesa ofron një kombinim ideal midis apartamenteve rezidenciale luksoze, zyrave bashkëkohore dhe ambienteve komerciale.

Ky projekti i cili do të sjellë risi në funksionalitet, arkitekturë, parametra ndërtimi dhe qasje ndaj mbrojtjes së mjedisit, do të jetë plotësisht funksional në vitin 2024.

Krahas gjithë fasiliteteve, rezidentët e kësaj ndërtese do të kenë fatin të shijojnë Tiranën në më të mirën e saj, me pamjen panoramike nga lartësia e apartamentit të tyre. Për “fanatikët” e gjelbërimit, do të kenë mundësinë të shijojnë panoramën me gjelbërimin dhe freskinë e Parkut të Liqenit. Ndërsa për ata të cilët duan pak më shumë “dinamikë” mund të shijojnë pamjen nga Sheshi Skënderbej.

Tirana International Hotel

Tirana International Hotel është kulla 33 katëshe e cila qëndron në zemër të Tiranës. Kjo kullë në fakt është një zgjatim i hotelit ekzistues “Tirana International”, por këtë herë erdhi si një hotel me pesë yje, i pasur me shërbime të ndryshme.

Ajo që tërheq vëmendjen që në sekondat e para janë format e thjeshta gjeometrike që janë përdorur, konkretisht dy kuboide të cilët ndryshojnë jo vetëm në material por edhe në ngjyrë. Një kontrast klasik si e arta me të zezën, duke dhuruar një pamje aq të bukur të kullës.

Nëse jeni kuriozë për pjesën e brendshme të hotelit, ju tregojmë se dhomat e gjumit janë të orientuara drejt sheshit, qendrës së Kryeqytetit, me pamje nga jugu dhe me diell gjatë gjithë vitit. Kjo mënyrë organizimi do t’u japë vizitorëve mundësinë të shijojnë jo vetëm komoditetet që ofron hoteli por edhe vendndodhjen perfekte dhe orientimin drejt qytetit.

Lion Park

“Lion Park” është një tjetër nga projektet tona. Kjo ndërtesë ofron 13 kate banimi, ndërsa kati 0 përbëhet nga njësitë e shërbimit. Gjithashtu ka edhe 3 kate parkim nëntokë. 

Elementi kryesor arkitekturor i këtij objekti, janë ballkonet me forma organike të shoqëruara me parapete betoni me të njejtat forma. Këto ballkone mbajnë bimësi të larmishme tipike të zonës dhe klimës. Edhe pse nga kati 0 deri në katin e 13 gjendet e njëjta gjuhë arkitekturore, ajo përsëritet duke iu përshtatur sipërfaqeve të secilit kat.

Tirana’s Rock

Një ndër ndërtimet më të veçanta është padyshim Tirana’s Rock. Kjo kullë është projektuar në formën e heroit Kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriotit. E gjatë 85m, “Tirana’s Rock”  i sjell një kuptim të ri elementëve ekzistues të arkitekturës shqiptare.

Forma e pazakontë dhe unike e kullës arrihet nga ballkonet të cilët krijojnë një zarf rreth gjithë ndërtesës. Detajet e fytyrës, të tilla si: hunda, veshët dhe mjekra, janë imituar përmes projeksioneve të lakuara që krijojnë një gjeometri delikate por edhe konfuze. Ballkonet gjithashtu lejojnë që hapësirat e brendshme të ndërtesës të kenë një planimetri më racionale, ndërkohë që ofrojnë hije dhe komoditet për hapësirat e jashtme.

Sot, pas kaq shumë vitesh eksperiencë, ne e gjejmë veten si një ndër kompanitë më aktive të ndërtimit në Shqipëri, në: investime, ndërtime dhe projektime, duke ofruar vazhdimisht cilësi, korrektësi dhe përmbushje optimale të planeve në të gjitha sipërmarrjet tona. Sa shumë gjëra të tjera të bukura na presin ende përpara!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*